Pedonalja e Korçës

Një shëtitje e bukur në rrugën plot kulturë dhe histori

Askund më mirë se sa në Pedonalen e Korçës nuk mund të kuptohet përse ky qytet ka marrë namin e një qyteti romantik, plot stil dhe elegancë në mënyrën se si jeton përditshmërinë e vet. E veshur nga pemët përgjatë gjithë rrugës, me shtëpitë e ulëta, kafenetë dhe restorantet moderne, Pedonalja e Korçës është një magnet i vërtetë turistësh që as ju nuk duhet ta humbisni.

Ajo çka e bën dhe më tërheqëse janë emocionet e ndryshme që në Korçë mund të përjetosh në varësi të stinës. Gjatë dimrit restorantet dhe baret ndizen nga oxhaqet dhe muzika, tek sa dëbora mbulon qytetin dhe Malin e Moravës. Në stinat e ngrohta atmosfera nis e zgjatet dhe në rrugët apo trotuaret e Korçës, ku Pedonalja kthehet në zemrën e qytetit. Gjatë vjeshtës, një lëvizje me biçikletë pranë ngjyrave dhe qetësisë së rrugëve është një tjetër takim me qytetin që të lë mbresa të shumta. Një nga vendet ku mund ta shijosh më së miri pedonalen është Vila Themistokli, ku mund të pish kafen e mëngjesit, të drekosh apo edhe të kalosh mbrëmjen në atmosferën sa tradicionale, aq edhe moderne.

Një shëtitje në Pedonale është një mundësi për t’u njohur jo vetëm me ritmin e sotëm të Korçës, por dhe të shkuarën e rëndësishme të qytetit. Në krye të Pedonales ndodhet monumenti “Ushtari i Panjohur” apo “Luftëtari Kombëtar”, i realizuar nga skulptori i shquar Odhise Paskali në vitin 1933 për të nderuar patriotët korçarë në luftë kundër pushtuesit. Lufta dhe paqja janë plotësuese të njëra tjetrës, e si për të ta kujtuar këtë në sfond të monumentit të “Ushtarit të Panjohur” ndodhet Katedralja Ortodokse Ringjallja e Krishtit. Edhe pse e ndërtuar dekadat e fundit, kjo katedrale ka fituar një status si një ndër objektet e kultit më të rëndësishëm në Shqipëri.

E nëse do jeni në këtë pikë të qytetit, duhet të bëni një ndalesë dhe tek Muzeu “Mësonjëtorja e Parë Shqipe”, që ndodhet mu përballë “Ushtarit të Panjohur”.  Muzeu është ngritur në godinën ku më 7 mars 1887 u hap e para shkollë  laike shqipe e njohur si “Mësonjëtorja”. Brenda muzeut gjendet fotokopja e abetares së parë shqipe e shkruar nga patrioti Naum Veqilharxhi, si dhe abetarja e dytë e patriotit tjetër Kostandin Kristoforidhi. Në katin e dytë është ruajtur e pandryshuar klasa e shkollës ashtu siç ka qenë në origjinal, me bankat karakteristike prej druri, korniza në mure dhe librat mbi tavolina. Në oborr të saj ndodhet Obelisku ABC, që është kthyer dhe në simbol të muzeut.

Pasi të vazhdoni shëtitjen tuaj përgjatë Pedonales, në anën tjetër të saj, në qendër të sheshit, do të gjeni Kullën Panoramike (ose të Kuqe) ku mund te shihen pamjet e qytetit të Korçës nga 33 m lartësi, duke e përjetuar kështu vizitën në Pedonale në lartësinë e duhur! Pazari i Vjetër, një tjetër qendër e qytetit, është vetëm disa hapa larg Pedonales. Gjatë ditës, pazari funksionin rregullisht duke shitur ushqime e produkte të freskëta lokale. Ai rrethohet prej shumë lokaleve, si Qoshka e Komitetit apo Koloniali, të cilat gjallërojnë jetën e natës në qytet me atmoisferën e tyre të ngrohtë, e cila zgjerohet në verandat e tyre gjatë verës, muzikën live e kokteilet e mira. Është padyshim ambineti përreth, me vilat dy katëshe dhe pazarin, i cili i jep një magji të veçantë kokteilit në verandë!

    Bulevardi Shën Gjergji, Korçë Get Directions

Explore More