Një Amerikan në Shqipëri – E Solli Dashuria dhe e Mbajti Ushqimi i Mirë

Së fundmi, në IntoAlbania kemi shpërndarë videot simpatike të Ben Washburn, i riu me origjinë amerikane që periudhën e pandemisë po e kalon në Shqipëri dhe me sa duket, edhe po argëtohet shumë. Nëse nuk e keni njohur ende, ky është momenti të prezantoheni me Ben, i cili Shqipërisë i ka pëlqyer aq shumë gjëra, sa e ka zgjedhur si shtëpinë e tij të momentit. Nga ushqimi, tek kultura, zbuloni çfarë e ka sjellë dhe e mban në Tiranë amerikanin më të famshëm të momentit.

Sa kohë ke që jeton në Shqipëri?
U bënë tashmë 7 muaj që jam në Tiranë. Ndërokohë jam duke punuar për një organizatë jo fitimprurëse, që synon të përmirësojë aksesin në sferën e edukimit për të rinjtë në Tanzani dhe Afrikë. Për fat të mirë, pjesën më të madhe të punës sime mund ta zhvilloj edhe në distanë, prandaj jam i lumtur që do të mund të vazhdoj të jetoj në Shqipëri ende për ca kohë.

Si zgjodhe ta vizitosh Shqipërinë?
Në vitin 2016, gjatë studimeve në Universitetin e Oxford-it, u njoha me vajzën që aktualisht është e dashura ime. Ajo është shiptare. Për herë të parë e vizitova Shqipërinë me të, në mars të 2017-ës. Gjatë kësaj vizite të shkurtër, kaluam më shumë kohë në qytetin e saj, Tiranë, por mundëm të vizitonim edhe Beratin, Gjirokastrërn, Thethin dhe Durrësin. E shijova shumë këtë udhëtim të parë dhe jam shumë i lumtur që tashmë pas tre vitesh, jam kthyer për të qëndruar.